Shifrat e papunësisë, INSTAT: Vetëm 2800 vende pune të humbura nga kriza

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2020, 15:10 | Ekonomi
Shifrat e papunësisë, INSTAT: Vetëm 2800 vende pune të

Turizmi ndihmoi në zbutjen e papunësisë, madje duke rikuperuar edhe efektin e mbylljes së ekonomisë për shkak të Covid-19.

Të dhënat zyrtare që raporton INSTAT, tregojnë për një rënie të shkallës së papunësisë në 11.6% në periudhën korrik-shtator, kundrejt kulmit prej 11.9% të shënuar në tremujorin e dytë.

Ndërkohë, krahasuar me një vit më parë, papunësia shënoi një rritje me 0.2 pikë përqindje, edhe pse bizneset që operojnë në fushën e turizmit shprehen se këtë vit operuan me kapacitete të reduktuara kundrejt sezonit veror 2019.

Në shifra konkrete, Instituti i Statistikave llogarit rreth 164 mijë persona të papunë, apo vetëm 2800 më shumë se përpara krizës. Edhe këto vende pune të humbura llogariten kryesisht në bujqësi, sektori i vetëm që nuk u prek nga pandemia, ndërsa shërbimet, sektori më i prekur ka krijuar më shumë vende pune.

Një nga arsyet për këtë shifër, që duket se bie ndesh me zhvillimet e tregut të punës, është edhe fakti se INSTAT nuk i liston si të papunë, të vetëpunësuarit dhe ata persona që nuk kanë qenë të punësuar gjatë kësaj periudhe, por që prisnin t’i ktheheshin aktivitetit brenda tre muajsh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos