
Njëlloj si në prokurori, procesi i vetingut ka shkaktuar një situatë të pazakontë në gjykatat e vendit. Vështirësitë me të cilat po përballet drejtësia zbardhen në raportin vjetor 2019 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të dorëzuar në Kuvend.
Sipas këtij raporti, procesi i vettingut ka ndikuar në punën e gjykatave në vend, sidomos në ato me numër të vogël gjyqtarësh në organikë. Si pasojë e shkarkimit nga detyra të 46 gjyqtarëve, sistemi ka 56 gjyqtarë më pak sesa planifikimi.
Ulja e numrit të togave të zeza ka krijuar pamundësi në formime trupash gjykuese e për këtë shkak KLGJ ka caktuar gjatë vitit të kaluar plot 1209 gjyqtarë në gjykime të tjera, jashtë gjykatës ku ata ushtrojnë detyrën.
Referuar të dhënave, mes gjyqtarëve të shkarkuar nga vettingu 24 prej tyre ishin kryetarë gjykatës. Për këtë shkak KLGJ gjatë vitit të kaluar përzgjodhi 36 zëvendëskryetarë gjykatës, për realizimin e miradministrimit të gjykatave.
Përveç miratimit të qindra akteve nënligjore në ndihmë të mbarëvajtjes së sistemit, KLGJ hapi procedurat për plotësimin e vendeve vakante nga radhët e juristëve të spitakur dhe anëtarëve gjyqtarë në Gjykatën e Lartë. (A2 Televizion)