Shkëndija e Tetovës nënshkruan me trajnerin shqiptar

Nga A2 CNN
8 Tetor 2019, 13:56 | Futboll

Ernest Gjoka, trajneri i shumë-shëtitur i kampionatit shqiptar të futbollit, kampion me Kukësit, do ta vazhdojë karrierën te Shkëndija e Tetovës në Maqedoninë e Veriut.

Skuadra shqiptare ka zyrtarizuar marrëveshjen teknikun 49-vjeçar nga Tirana, i cili do të nisë menjëherë punën pasditen e së martës me skuadrën.

Ernest Gjoka pas nënshkrimit të kontratës

“Mendoj se kam ardhur në një klub si Shkëndija që mbi të gjitha është një klub profesional dhe është një klub i ndërtuar me shumë kujdes. Përshtypjet e para janë shumë të mira dhe mendoj e shpresoj që këto përshtypje që do kem sot t’i kem gjatë gjithë kohës që do të punoj këtu. Jam i gatshëm për këtë sfidë, sepse dihet se Shkëndija kërkon gjithçka. Kërkon të jetë gjithë kohës e suksesshme, të jetë kampion, të eci shumë në Europa League, të kap grupet e Europa League apo pse jo edhe Champion League”, u shpreh Gjoka menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Ernest Gjoka është një prej trajnerëve që ka fituar trofe vitet e fundit në Shqipëri, pasi ka drejtuar Kukësin në dy kohë drejt triumfit në Superligën shqiptare dhe Kupën e Shqipërisë. Përveç Kukësit, Gjoka në karrierën e tij si trajner ka punuar edhe me Vllazninë e Shkodrës, Kamzën, Flamurtarin e Vlorës, Tomorin dhe Apoloninë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos