Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër, ku një shtetas 22-vjeçar është plagosur me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Mark Lula të qytetit verior. Burime pranë policisë së Shkodrës bëjnë me dije se i plagosuri është shtetasi Mikel Fusha, dhe se është plagosur në këmbë. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se është identifikuar autori i ngjarjes, shtetasi me inicialet E.L. dhe po punohet për arrestimin e tij.
I plagosuri ndodhet në spitalin Rajonal të Shkodrës, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ishte edhe e ëma e të plagosurit e cila tregoi se para një jave një person në gjendje të dehur ka shkuar tek lokali ku punon djali i saj dhe ka thyer tavolinat brenda lokalit. Baba i personit që ka bërë këtë dëm sipas nënës së të plagosurit ka paguar një shumë prej 100 mijë lekësh të vjetër duke shlyer dëmin e djalit të tij.
Nëna e të plagosurit dyshon se ai person ka shkuar sërish tek lokali gjatë bashkë me 5 persona të tjerë disa orë përpara plagosjes por më pas janë larguar. Ndërkohë në orët e mbrëmjes sipas saj është rikthyer sërish ai person duke qëlluar me armë djalin e saj. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)