
Bashkia e Shkodrës vijon të mbetet ndër zonat më të prekura nga përmbytjet që kanë përfshirë ultësirën perëndimore të vendit prej disa ditësh.
Të dhënat hidrike të kësaj të diele flasin për një rritje të nivelit të prurjeve të dy lumenjve Drin dhe Buna, që takohen pranë qytetit të Shkodrës. Sipas të dhënave, rritje ka edhe niveli i Liqenit të Shkodrës, i cili është në kuotën e 8,45 metra, vetëm 25 cm larg pikës maksimale.
Edhe niveli i Drinit është në kuotën e 6,95 metrave nga 7,5 metra që është kuota maksimale. Për rrjedhojë, Bashkia e Shkodrës ka raportuar se ka në total 1595 hektarë tokë nën ujë. Më problematike sa i takon përmbytjes paraqitet njësia administrative e Anës së Malit, e cila ka 880 ha tokë nën ujë, sipërfaqe kjo më shumë se gjysma e sipërfaqes totale të Bashkisë së Shkodrës që janë nën ujë.
Banorët e kësaj zone janë të detyruar të lëvizin vetëm me mjete të larta të ushtrisë dhe policisë, të cilat janë të stacionuara në këtë zonë. Ndërkohë, rritja e prurjeve të dy lumenjve, Drini dhe Buna, ka sjellë rrezikun e përmbytjes edhe në lagjen e parë të Shkodrës, atë të Bahçallëkut.
Përveç reshjeve, situata e prurjeve pritet të rëndohet edhe për shkak të shkarkimeve që kanë filluar të bëjnë kaskadat e hidrocentraleve. (A2 Televizion)