
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra tha në A2 Business se deri tani, kemi parë vetëm propagandë qeveritare në kapërcimin e krizave. “Kemi parë luhatje të deklarimeve, duke filluar nga Ministria e Financave, kryeministri, madje për çudi edhe të Bankës së Shqipërisë, duke tejkaluar të gjitha limitet e të vërtetës, duke proklamuar që do të kishim rritje stratosferike, por më pas filkluan ta korrigjonim. Kjo ka qenë pjesë e propagandës”, tha Shkodra.
Ai shtoi se situata e industrisë prodhuese është me shumë pasiguri dhe stepje, qoftë nga punëmarrësit, por edhe nga ana e punëdhënësit sa i përket punësimit. “Sepse rritja e çmimeve ka çuar ulje të konkurrueshmërisë. Shtetet e tjera që janë agresivë ndaj shtetit shqiptar, e kanë mbështetur fort sipërmarrjen prodhuese të tyre, për të vazhduar të jenë konkurruese. Dhe po shoshim që ka një tendencë për zëvendësim të produkteve shqiptare, që dalin me kosto të lartë”, tha ai.
Por ish-ministrja e Financave, Anila Denaj tha se pavarësisht situatës jo të lehtë, krizave të njëpasnjëshme, nga tërmeti, pandemia dhe tanimë lufta në Ukrainë, shifrat flasin qartë. “Ne jemi rritur me 4,79% në krahasim me vitin 2019, sepse patëm tkurrje më të vogël dhe patëm rritje të konsiderueshme vitin e kaluar. Në mbrojtje të biznesit kanë qenë tatimi i fitimit 0 dhe TVSH 0 për pjesën më të madhe të bizneseve. Falë garancisë sovranë është rritur kreditimi me 9,6% në vitin 2021, krahasuar me një vit më parë. Këta tregues nuk flasin për propagandë, por për mbështetje drejt biznesit. Nuk do të thotë që është bërë gjithçka, por nuk është bërë pak për tejkalimin e krizës”, tha ajo. (A2 Televizion)