Shkodra nuk mbeti blu, Benet Beci shpall fitoren nga selia rozë

Nga A2 CNN
16 Maj 2023, 12:41 | Politikë
Shkodra nuk mbeti blu, Benet Beci shpall fitoren nga selia rozë

Benet Beci, njeriu që arriti që të thyente bastionin e paprekshëm të demokratëve, e konsideruar si molla e ndaluar për socialistët, fitoren zgjodhi të mos e shpallte nga Shkodra, por nga Tirana, krah kolegëve të tjerë fitues të bashkive në këtë qark.

Krah Elisa Spiropalit që është dhe drejtuese politike e qarkut, Beci tregoi se ishte ende nën emocionet e fitores së asaj që u bë gara e tij e jetës, pas zgjedhjes më parë si deputet i Shkodrës.

“Akoma s’më kanë dalë emocionet e këtyre dy ditëve të jashtëzakonshme”, tha Beci.

Tashmë që gara ka mbaruar, Beci tha se shumë nuk e besonin që kjo ditë do të vinte për Shkodrën, mes skeptikëve ishin dhe mbështetësit e tij.

“Shkodra foli, qytetarët e Shkodrës folën. Ku Shkodra vendosi pro ndryshimit, pro zhvillimit. Qytetarët e Shkodrës na besuan. I jam shumë mirënjohës Shkodrës për besimin”, shtoi Beci.

Në fjalët e tij të fitores, nuk zuri vend kandidati përballë, kryebashkiaku në detyrë demokrati Bardh Spahia. Por në tërësi për demokratët rezervoi një falënderim.

“I Jam mirënjohës çdo demokrati, të cilët na kanë parë pak me dyshim dhe më fund arritën të na besojnë, për ne është obligim”, u shpreh Benet Beci.

Beci premtoi se do të punojë për të gjithë qytetarët dhe tha se të gjitha projektet e prezantuara gjatë fushatës do të bëhen realitet.

Bardh Spahia të cilit do t’i duhet t’i dorëzojë çelësat e zyrës vetëm një vit pasi ju besua detyra e kryebashkiakut, sheh krim dhe manipulim në fitoren e rivalit Benet Beci. 

“Çdo pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista nuk jeton gjatë, ndërsa shpirti i lirë i Shkodrës i ka rezistuar edhe kohëve më të errëta. Mirënjohje për të gjithë qëndrestarët dhe ata që nuk bëjnë kompromis për lirinë”, tha Spahia.

Bastioni blu është një ndër bashkitë që prodhoi rezultatin më befasues me një diferencë prej mbi 11 e 700 votash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos