
Pushimet e festave të fundvitit mbaruan edhe për fëmijët. Duke nisur nga kjo e mërkurë, nxënësit rikthehen në bankat e shkollës. Në të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar, publik dhe privat, rinis procesi mësimor. Pavarësisht rrezikut të përhapjes së variantit të ri Omicron edhe brenda ambienteve të shkollave, deri tani nuk ka ndryshim skenarësh për mënyrën e zhvillimit të mësimit. Nxënësit rikthehen të gjithë në klasa, me orë të rregullta mësimi, pa turnet e kushtëzuara nga pandemia, por me masat mbrojtëse anti-Covid. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Evis Kushi, përmes një reagimi në profilin e saj.
Ky dimër pritet të jetë i vështirë edhe për institucionet arsimore. Qarkullimi i dy varianteve të konfirmuar të koronavirusit Delta dhe Omicron, si dhe virozave të stinës, rrit rrezikun e përhapjes së tyre edhe brenda shkollave. Ndërsa sfidë për institucionet arsimore mbetet zbatimi i masave anti-Covid.
Në tremujorin e parë të vitit shkollor nuk kanë munguar infektimet nga Covid- 19, kryesisht mes fëmijëve. Për shkak të numrit të lartë të nxënësve të prekur nga koronavirusi janë mbyllur përkohësisht edhe klasa.
Ndërsa numri i mësuesve të infektuar ka qenë i ulët dhe sipas ekspertëve për shkak të vaksinimit gati 80% të kësaj kategorie. Mësuesit dhe pedagogët ishin të parët që u detyruan të vaksinohen për të mos humbur vendin e punës. (A2 Televizion)