Prej vitesh Kina është shndërruar në vendin e paradokseve, por lajmi i fundit nga vendi më i populluar në botë ka lënë të çorientuar ekonominë ndërkombëtare: Jack Ma, krijuesi i gjigandit të blerjeve online Alibaba dhe njëkohësisht një nga simbolet e modelit kapitalist kinez, ka marrë teserën e partisë komuniste.
Vendimi nuk surprizon tërësisht, sepse një pjesë e mirë e biznesmenëve kinezë janë pjesë e Partisë Komuniste: nga më të famshmit, presidenti i Suning dhe i Interit, Zhang Jindong.

Gjithsesi, figura e Jack Ma deri më tani ishte veçuar nga të tjerët. Kreu i Alibaba vetë kishte deklaruar në Forumin Ekonomik Botëror të vitit 2015 që me qeverinë “duhet të dashurohesh, por jo të martohesh”.
Kjo pavarësi i kishte dhënë shumë famë biznesmenit edhe në vendet perëndimore, dhe lajmi i anëtarësimit të tij komunist mund t’i kushtojë popullaritet dhe fitime në Amerikë dhe Evropë.

Padyshim që për qeverinë kineze dhe liderin e saj absolut Ji Xinping lajmi përbën një fitore të madhe në imazh, sidomos në kuadër të luftës komerciale që Pekini po zhvillon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një afrim i Ma ndaj regjimit u nuhat këtë vit kur refuzimi i Donald Trump për blerjen e amerikanes Moneygram nga kompania e miliarderit kinez shkaktoi prishjen e premtimit e kinezit për krijimin e 1 milion vendeve pune në Amerikë, si dhe denoncimin e politikave të Shtëpisë së Bardhë.

Pritet që Ma të lërë krijesën e tij Alibaba vitin e ardhshëm, duke mbajtur gjithsesi një vend në “këshillin e të urtëve” që emëron bordin e kompanisë. (A2 Televizion)