
Prodhuesit shqiptarë mund të shfrytëzojnë boshllëkun që do të krijojë në tregun kosovar vendosja e taksës 100% për produktet serbe.
Është vetë sipërmarrja kosovare që vlerëson se momenti mund të shfrytëzohet kryesisht për produktet ushqimore, ato të agropërpunimit dhe minerare, nevoja të cilat, deri më tani, janë plotësuar nga Serbia.
Vendosja e taksës doganore në masën 100% për produktet serbe nga qeveria e Kosovës ka lënë hapësira boshe në këtë treg, të cilat mund të shfrytëzohen nga prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë.

Ka qenë vetë sipërmarrja kosovare, që i bën thirrje biznesit shqiptar që të tregohet ambicioz dhe agresiv për të kapur këtë treg, që do të synohet edhe nga vendet e tjera.
Sipas Astrit Panxhës, kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës, “Konsumatorët e Kosovës janë të gatshëm të paguajnë një çmim edhe më të lartë por të konsumojnë produkte të prodhuara nga vende mike, që përkrahin shtetësinë e Kosovës. Unë i bëj apel prodhuesve të Shqipërisë të shfrytëzojnë ketë mundësi dhe të depërtojnë në tregun kosovar sepse është një mundësi e mirë”.
Prodhuesit shqiptarë mund të kapin në këtë moment tregun kosovar kryesisht për produktet ushqimore, ato të agropërpunimit dhe minerare, nevojat për të cilat deri më tani janë plotësuar nga Serbia. (A2 Televizion)