
Nuk mund të ketë negocim dhe askush nuk duhet të pretendojë të jetë ndërmjetës, sa u takon personave të shpallur non grata nga SHBA-ja. Përmes një statusi në Twitter, ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, thotë se faktet janë të pamohueshme dhe nuk ka vend për konspiracion.
“Përcaktimi i shpalljes non grata nuk i nënshtrohet "negocimit" dhe askush nuk duhet të pretendojë të jetë "ndërmjetës". Ata mund t’ia vënë fajin konsipracionit, por faktet janë të pamohueshme. Presidenti Biden e ka bërë të qartë se do të kërkojë llogari për të gjithë ata që përfshihen në korrupsion”, shprehet Kim, duke dhënë një mesazh të fortë për ata që janë të përfshirë, bashkangjitur memorandumit të Shtëpisë së Bardhë kundër korrupsionit.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur “non grata” deri tani 4 figura publike shqiptare. Në këtë listë, janë ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, kreu i PSD-së Tom Doshi dhe ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. (A2 Televizion)