
Dy shpërthime të reja tronditën Mitrovicën e Veriut mbrëmjen e së martës. Sipas policisë, shpërthimet dyshohet të jenë shkaktuar nga hedhja e bombave trullosëse, në Lagjen e Boshnjakëve dhe Tre Rrokaqiejt. Nuk ka raportime për të lënduar apo dëme materiale.
Sakaq, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njoftoi se shpërthimi në Lagjen e Boshnjakëve ndodhi në afërsi të ekipit të televizionit Twvw1, dhe u bëri thirrje kolegëve të kenë kujdes të shtuar përgjatë raportimeve nga kjo zonë.
Prej 11 ditësh, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak mbeten të bllokuara për shkak të barrikadave te ngritura nga serbët lokalë. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, akuzoi kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, se së bashku me “bandat kriminale e të armatosura” po bllokojnë qytetarët dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Goran Rakiç në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmban barrikadat që kanë bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës prej 11 ditësh. E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”, tha ministri Sveçla.
Kryeministrja serbe, Ana Bernabic, reagoi ndaj deklaratës së ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, se barrikadat e ngritura nga serbët lokale duhet të hiqen para Krishtlindjeve. Përmes një serie postimesh në Twitter, Bernabic tha se barrikadat jo vetëm nuk do të hiqen, por as “babagjyshi” nuk do të kalojë këtë herë mbi to.
Të zemëruar nga ato që i cilësuan kërcënime të reja nga kryeministri Kurti, dhe ultimatum i ambasadorit gjerman për barrikadat, serbët e veriut kanë thirrur mbajtjen e protestave të reja, më 22 dhjetor. (A2 Televizion)