Shpërthimi i komanduar i pallatit në Durrës, plagoset një punonjës i forcave xheniere

Nga A2 CNN
3 Tetor 2020, 16:57 | Aktualitet

Një punonjës i forcave xheniere ka mbetur i plagosur gjatë shpërthimit të kontrolluar për të shembur një pallat në lagjen 17, në Durrës, i cili ishte dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Mësohet se i plagosur ka marrë dëmtime në fytyrë dhe në kokë, por fatmirësisht mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Punonjësi i forcave xheniere po merr ndihmën mjekësore në urgjencën e spitalit të Durrësit.

Në një njoftim, Ministria e Mbrojtjes e quan këtë një nga operacionet më të vështira deri tani, pasi u desh një punë voluminoze për hapjen e mbi 3000 furnelave nga ekspertët e batalionit të xhenios.

“Specialistët EOD të Batalionit të Xhenios në Komandën Mbështetëse në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit (IKMT) bënë të mundur shembjen e pallatit 12-katësh, ne lagjen nr 17 të bashkisë Durrës, të dëmtuar nga tërmeti i Nëntorit të vitit të kaluar. Ky është konsideruar një nga operacionet me të vështira deri tani, pasi u desh një punë voluminoze për hapjen e mbi 3000 furnelave nga ekspertët e batalionit të xhenios. Procesi ka filluar që në muajin korrik 2020 dhe u finalizua pasditen e kësaj të shtune. Për realizimin e këtij operacioni u përdor një sasi e konsiderueshme lënde plasëse, mjete transporti dhe  39 specialistë të batalionit të xhenios. Gjatë operacionit nuk pati probleme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos