Shpërthimi i telekomanduar, paralajmërim për Bylykun?

Nga A2 CNN
18 Tetor 2019, 12:22 | Kronikë
Shpërthimi i telekomanduar, paralajmërim për Bylykun?

Një shpërthim i telekomanduar ndodhi mëngjesin e kësaj të premte në Tiranë. Tritoli i vendosur në një makinë me targa gjermane shkaktoi panik në zonën e ish-Frigoriferit, por fatmirësisht nuk u lëndua asnjë person.

Pronari i automjetit, Artan Bylyku, të cilit iu vu tritoli, rezulton kunati i Donart Konjarit, një emër i njohur për drejtësinë.

30-vjeçari kishte pak ditë që ishte kthyer nga Gjermania, ndërsa sapo u fut në mjetin e tij luksoz ndodhi dhe shpërthimi. Nga hetimet paraprake mësohet se lënda eksplozive ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit, ndërsa Bylyku nuk pësoi asnjë dëmtim.

Shpërthimi shkaktoi panik mes banorëve, kjo për shkak se një pjesë e madhe e tyre shoqëronin fëmijët në shkollë.

Frika se në automjet mund të kishte mbetje eksplozivi bëri që forcat xheniere të kryenin shpërthim të kontrolluar.

Artan Bylyku po merret në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa ka mohuar të ketë konflikte me persona të tjerë. Hetuesit nga ana tjetër dyshojnë se tritoli ishte formë paralajmërimi për të riun.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos