
Kelmend Balili do të kalojë 10 vitet e ardhshme në qeli. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la në fuqi vendimin e shkallës së parë, që dënoi Balilin me 10 vite burg, falë gjykimit të shkurtuar.
“Eskobari i Ballkanit” e apeloi vendimin duke kërkuar pafajësinë me pretendimin se gjykata nuk kishte prova kundër tij, por Apeli ka rrëzuar sot kërkesën e tij.
Mbi Balilin rëndojnë 4 akuza, trafik droge, pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Që prej 15 Janarit 2019, Kelmend Balili qëndron në qeli pas vetëdorëzimit në polici, ku kushti i vetëm ishte të gjykohej nga drejtësia shqiptare duke shmangur në këtë mënyrë ekstradimin.
Për më shumë se dy vjet, Kelmend Balili u shndërrua në një prej personazheve më të përfolura të botës së krimit pasi emri i tij përmendej vazhdimisht nga ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ndërsa Balili ishte në arrati.
Pasi i shpëtoi kapjes nga policia për 3 vite, Balili u vetëdorëzua në janar të këtij viti. (A2 Televizion)