
Pak orë pasi Kisha Katolike denoncoi fenomenin e shpopullimit në vend, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka akuzuar qeverinë si shkaktare kryesore të largimit të të rinjve nga vendi. Në një konferencë për shtyp, Meta shprehu angazhimin e tij për të çrrënjosur këtë fenomen.
“Shpreh angazhimin e vendosur të PL për të ndalur shpopullimin dhe për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë kësaj drame të madhe të shoqërisë sonë dhe çdo familjeje shqiptare. përshëndes angazhimin e Kishës Katolike dhe komuniteteve të tjera për të reflektuar dhe për t’u bashkuar për të çrrënjosur të gjitha arsyet që nxisin të rinjtë tanë të rrezikojnë jetën për të kaluar La Manshin me gomone. Është e qartë se i vetmi që nuk dëshiron të angazhohet në këtë drejtim është shkaktari kryesor kryeministri i papërgjegjshëm që fajëson autoritetet britanike për një fenomen atë të shpopullimit duke rrezikuara jetën e të rinjve që e ka nxitur ai me politikat e tij kundër të rinjve për të qëndruar në vend. Mafia në pushtet është shkaktarja kryesore e humbjes së perspektivës së këtyre të rinjve”.
Meta kërkoi nga qeveria që të forcojë bashkëpunimin me autoritetet franceze dhe britanike dhe të mos provokojë.
“Ndërkohë që qeveria duhet të ulë kokën për këto pasoja tragjike që i ka shkaktuar vendit dhe të forcojë bashkëpunimin me autoritetet franceze ku në pyjet e Francës ndodhen mijëra të rinj që presin të largohen drejt Britanisë së Madhe. Të bashkëpunojë më autoritetet britanike që t’i trajtojë me dinjitet qytetarët tanë për më tepër që ndodhen shumë minorenë. Çdo provokim që qeveria u bën këtyre autoriteteve nuk e ndihmon pozitën e trajtimin e qytetarëve shqiptarë. Ndërkohë këtu në vend ky kryeministër dhe kjo qeveri vijon të godasë investitorët vendas të favorizojë monopolet”. (A2 Televizion)