
Kontratat koncesionare të formës së Partneritetit Publik Privat janë kritikuar shpesh nga institucionet ndërkombëtare për mënyrën e zbatimit në Shqipëri.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar kontabilizimin e kostove të këtyre projekteve në buxhet, e thënë ndryshe përllogaritjen e tyre te borxhi publik. Një tjetër kërkesë e FMN-së ishte ndalimi i ofertave të pakërkuara, procedurë e cila ishte parashikuar të kryhej më 1 korrik të këtij viti.
Pas FMN-së, Departamenti Amerikan i Shtetit nga ana tjetër ka lëshuar kritika të forta mbi qeverinë për rritjen e numrit të këtyre kontratave, duke shtuar se kjo ka ulur mundësitë për garë për investimet në infrasturkturë dhe sektorë të tjera.
DASH evidenton si mjaft problematike analizën e dobët të kostove dhe përfitimeve si dhe mungesën e ekspertizës teknike e monitoruese të PPP-ve.
Shqetësimit të tyre mbi kontratat koncesionare i bashkohet edhe Banka Botërore, e cila ka bërë apel për kujdes me PPP-të, ndërsa kërkon një menaxhim më të mirë të risqeve fiskale si dhe transparencë të shtuar në këtë drejtim. Pjesë e kërkesave të saj është edhe monitorimi sistematik i kontratave nga Ministria e Financave, si dhe ndërhyrje në kohë kur privati nuk po përmbush detyrimet.
Deri në fund të vitit 2018, qeveria ka nënshkruar më shumë se 200 kontrata koncesionare. (A2 Televizion)