Shqipëria injoron pandeminë

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2021, 19:02 | Aktualitet
Shqipëria injoron pandeminë

Pandemia e koronavirusit ka hyrë në vitin e tretë dhe fundi nuk po duket. Mutacionet që po pëson Sars-Covid-2 janë shqetësimi më i madh për mbarë botën, më i fundit varianti Omicron. Prania e tij u konfirmua edhe në Shqipëri në fund të dhjetorit. Rastet e para u zbuluan nga laboratorët e referencës në Gjermani.

Ashtu si Delta, varianti britanik apo ai fillestar, edhe Omicron u importua nga jashtë, konkretisht nga qytetarë të kthyer nga Gjermania. Por ekspertët i tremben përhapjes së lartë të këtij mutacioni dhe të panjohurave të tij.

Ndryshe nga shifrat zyrtare, situata në terren flet për rritje të sëmundshmërisë në popullatë. Qarkullimi i Deltës, Omicronit dhe virozave të stinës në këtë periudhë të dimrit e bën të vështirë përcaktimin e sëmundjes pa kryer tamponin. “Varianti Omicron i koronavirusit do të shkaktojë një valë tjetër infektimesh dhe piku pritet të shënohet në muajt janar-shkurt”, thotë kreu i urgjencës kombëtare, Skënder Brataj, për A2 CNN. “Por ende nuk dihet nëse do të përsëritet skenari i dimrit të shkuar nga varianti Delta”.

Pandemia e gjatë e koronavirusit na ndryshoi sjelljen, na shtoi ankthin, frikën, dyshimet, por edhe qëndrimet ndaj vaksinës që në fillim mezi e prisnim. Për t’i vënë fre çdo teorie konspirative, mjekët të parët treguan se vaksinimi anti-Covid nuk shkaktoi më humbje jete në radhët e tyre. Për shkak të mutacioneve të shumta të Omicron, por dhe varianteve të tjera, më të rrezikuar janë të pavaksinuarit, veçanërisht gratë shtatzëna. Edhe mes tyre janë shënuar humbje jete.

Ndryshe nga shtetet e Europës, por edhe në raport me rajonin, Shqipëria është ndër vendet me mbulesën më të ulët vaksinale. Vetëm 40% e popullsisë është vaksinuar me një dozë, mbi 35% me të dyja dhe një shifër shumë e ulët me dozën e tretë. Ndërsa kur flitet për masa anti-Covid, në vendin tonë nuk ka. Janë të shkuara vetëm në letër, por askush nuk i zbaton. Shteti i pari, institucionet e tij, politika, biznesi dhe qytetarët. Vendimet e komitetit nuk janë të ekspertëve. Çdo masë e deklaruar shkon përtej tyre. I tillë ishte edhe vendimi për festimet pa limit, pa kufizime, natën e ndërrimit të viteve, sa qesharak po aq edhe i guximshëm.

Sipas të dhënave zyrtare, në dy vite pandemi, janë infektuar mbi 200 mijë qytetarë dhe mbi 3200 kanë humbur jetën nga koronavirusi. Por shifrat reale janë disafish më të larta. Për të mos shkuar në këto dyer, e as në këta shtretër, ku mbetesh pa frymë, ku lotët e lutjet nuk funksionojnë, kujdesu në kohë për veten dhe ata që do më shumë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos