Shqipëria marrëveshje me Emiratet Arabe për sulmet kibernetike

Nga A2 CNN
6 Prill 2023, 16:15 | Politikë
Shqipëria marrëveshje me Emiratet Arabe për sulmet kibernetike

Pas SHBA dhe BE, qeveria shqiptare ka kërkuar edhe ndihmën e Emirateve të Bashkuara Arabe për të mbrojtur sistemin e shërbimeve online nga sulmet kibernetike. Autoritetet përgjegjëse firmosën marrëveshjen për bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve në këtë fushë, në të cilën vendi ynë gjatë dy viteve të fundit është përballur me hacker-at jo vetëm në shërbimet publike por edhe ato private.

Pas firmosjes Kryeministri Rama, në krah të Ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara, tregoi që ky memorandum ka rëndësi strategjike për Shqipërinë.

“Kjo është e një rëndësie të jashtëzakonshme strategjike për vendin tonë sepse ka të bëjë me sovranitetin e këtij vendi, integritetin e këtij vendi dhe me atë çka është sot lloji i ri i kërcënimit ndaj sovranitetit dhe integritetit, jo duke treguar tanket apo avionët që shkelin integritetin territorial por duke piratuar e duke sulmuar hapësirën kibernetike për të paralizuar të gjitha funksionet shtetërore”, u shpreh Rama.

“Pres me padurim që të punoj ngushtë me ekipin tuaj për t’i bërë ëndrrat tuaja dhe të Sheikh Mohamedit realitet”.

Kryediplomati i Emirateve të Bashkuara gjatë këtij takimi tregoi që përveç sigurisë kibernetike, bashkëpunimi me Shqipërinë do të vijojë edhe në sektorë të tjerë, si energjia, infrastruktura dhe turizmi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos