
Fuqia mbresëlënëse e makinës së Cross Car do të përfaqësojë Shqipërinë në FIA Motorsport Games 2022. Eventi do të zhvillohet nga 26 deri më 30 tetor në Marsejë të Francës. Në këtë disiplinë të re për vendin tonë do të konkurrojë piloti kampion Gentjan Shaqiri.
“Është një ndjesi fantastike”, thotë Shaqiri për A2 CNN. “Për sa i përket përgatitjeve, pata fatin të përzgjidhem si pilot shqiptar, të përfaqësoj shtetin shqiptar në FIA Motorsport Games, sepse këtu mund të ishin edhe pilotë të tjerë shqiptarë shumë kompetitiv. Për mua është eksperiencë e parë, unë jam mësuar të garoj në asfalt dhe stili i të dhënit të kësaj makine është komplet ndryshe”.
Gara në edicionin e dytë të eventit botëror nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi konkurrenca është e madhe. “Janë diku te 25 kompetitorë, nga 35 shtete të ndryshme. Europa është prezente, Amerika, Azia... të cilët, kam studiuar disa profile dhe kam parë që janë kampionë në vendet e tyre dhe janë shumë të fortë”, thotë Shaqiri.
Emocionet e pjesëmarrjes së parë historike, shoqërohen edhe nga objektivat për ta ngritur sa më lart flamurin shqiptar. “Të paktën një vit e gjysmë që unë kam bërë prova, e kam testuar dhe kam le të themi pak eksperiencë. Dua të bëj më të mirën timen, të kënaqem dhe sigurisht të kalojmë grupin të hyjmë në gjysmëfinale. Duke marrë parasysh që ka vende si Finlanda, si Spanja, që në këtë kategori janë fantastikë në nivel botëror, janë më të mirët”, thotë Shaqiri.
Shqipëria do të përfaqësohet me katër pilotë në FIA Motorsport Games 2022. Përveç Gentjan Shaqirit në Cross Car, Aleksandros Begolli dhe Nensi Vathi do të garojnë në Karting Slalom, teksa Andri Gjoka në garat elektronike e-sports. (A2 Televizion)