“Shqipëria pa plastikë”, Klosi: Nga 1 qershori 2020 dënohet edhe kush i përdor

Nga A2 CNN
2 Tetor 2019, 17:15 | Aktualitet
“Shqipëria pa plastikë”, Klosi: Nga 1 qershori 2020

Qershori i vitit të ardhshëm do të synojë ta rendisë vendin tonë si vendin e parë në Evropë që nuk do të përdore më plastikën.  Kjo është nisma ambicioze e qeverisë shqiptare, e cila për të arritur këtë ka synim të ndryshojë dhe të ashpërsojë ligjin, të cilët do të dënojnë edhe personat që i përdorin, përveç subjekteve që i prodhojnë apo ato që mund t’i tregtojnë.

Këtë fakt e ka bërë të ditur ministri Blendi Klosi gjatë një takimi me drejtuesit e bashkive të qarkut të Elbasanit.

“1 qershori i vitit 2020 është një datë që ne do të tentojmë ta miratojmë në parlament nëpërmjet ndryshimit ligjor përkatës ku do të jetë dita që do ta gjejë Shqipërinë pa qese plastike. Do të penalizohen edhe ata që i përdorin këto qese plastike, jo vetëm ata që i prodhojnë. Pra na duhet një ndërgjegjësim i madh publik që përdorimi i qeseve të jetë vepër penale”, deklaroi ministri Klosi.

Ndërkohë drejtuesit e bashkive të vogla të qarkut të Elbasanit kanë kërkuar subvencionim nga qeveria për të mbuluar transportimin e mbetjeve urbane nga vendgrumbullimet drejt inceneratorit që është ndërtuar në Elbasan si dhe ashpërsimin e gjobave ndaj ndotësve të mjedisit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos