
Parlamenti, në seancën e kësaj të enjteje, pritet të votojë zgjatjen e afateve të vetingut. Ambasada Amerikane dhe ajo e BE-së në Tiranë, kanë bërë shpesh thirrje që amendamenti të miratohet në kuvend.
Ndërkohë, thirrja e fundit ka ardhur, mëngjesin e së enjtes, para seancës në Kuvend, nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Ajo shkruan në Twitter se kjo është keqkuptuar nga disa, si një çështje partiake, por në fakt, shkruan Yuri Kim, ky është një vendim i rëndësishëm që është mbi politikën e përditshme në vendin tonë.
Më tej, ajo u bën thirrje deputetëve që të lënë mënjanë politikën dhe të votojnë pro këtij amendamenti.
Ndërkohë, mazhoranca ka shprehur hapur votën e saj, ndërsa deputetët e PD-së, kanë zhvilluar një takim, mëngjesin e sotëm, të thirrur nga Lulzim Basha, mbi këtë çështje. Ndërsa deputeti Edi Paloka, pjesë e Rithemelimit, me anë të një postimi një ditë më parë, zbuloi votën e tij kundër. Madje, ai shkroi se ky votim do të ndajë edhe se kush është opozita e vërtetë në vend. (A2 Televizion)