Kapllan Sulaj, dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, foli për rastin e gjetjes në Austri të një substance në ushqimin e fëmijëve që përdoret për helmimin e minjve.
“Bëhet fjalë për një ushqim për fëmijë në kavanoz, i cili përmban pure patate dhe përzierje perimesh të tjera. Është ushqim për fëmijë në mosha fare të vogla. Në Austri kanë zbuluar mbetje të rrezikshme në këto kavanozë, mbetje të një substance që përdoret si helm për minjtë. Është klasifikuar si krim federal sepse është substancë mjaft toksike. Është çështje e ndjeshme”, shpjegoi Sulaj në studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani.
“Produkti është tërhequr nga tregu dhe thonë se nuk bëhet fjalë për produkte të shpërndara në vende të tjera evropiane. Ka shumë hipoteza për këtë rast, ku theksohet se kontaminimi ka ardhur nga patatet ose karotat, ku janë kontaminuar nga minjtë në magazina. Por, mendohet që mund të jetë edhe kontaminim mjedisor, pasi produkti është ruajtur në vende ku ka pasur edhe preparate kundër minjve. Mund të jetë futur substanca me anë të ajrit”, shtoi Kapllan Sulaj. (A2 Televizion)