
Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka publikuar në rrjetet sociale disa dokumente, që sipas tij, hedhin dritë mbi lidhje të dyshimta mes individëve të përfshirë në krijimin e Jet Bank dhe aktiviteteve të mëparshme të dyshuara për mashtrim financiar në Europë.

Sipas tij, shtetasi Oliver Hemmer rezulton të jetë drejtues i kompanisë GRF Europe OU, e lidhur me platformën 4XFX, në pronësi të Gal Barak, i cili është dënuar në Austri me 4 vite burg për një skemë mashtrimi me dëme të konsiderueshme financiare në disa vende europiane.
Këlliçi ngre shqetësime për rolin e Bankën e Shqipërisë në licensimin e kësaj banke, duke vënë në pikëpyetje standardet e verifikimit dhe transparencën e procesit.
Postimi i plotë i Këlliçit
Skandali i radhës me Jet Bank dhe Bankën e Shqipërisë!
Sot po publikoj dokumente zyrtare të Ministrisë së Brendshme Gjermane, që hedhin dritë mbi kërcënimin serioz të sistemit tonë bankar nga licensimi i JET BANK, ku një zinxhir marrëdhëniesh mes disa individësh nuk mund të trajtohen më si rastësi administrative.
Sipas tyre, shtetasi Oliver Hemmer është Drejtori Menaxhues i kompanisë GRF Europe OU, e cila operonte për llogari të kompanisë 4XFX, në pronësi të shtetasit Izraelit, Gal Barak.
Ky i fundit i dënuar me 4 vite burgim në Austri, pasi ka ngritur një skemë mashtrimi me Call Centera me një dëm të vlerësuar rreth 200 milionë euro në disa shtete europiane si Angli, Austri, Gjermani, Spanjë, etj.

Në një tjetër dokument shihet qartë se Oliver Hemmer është edhe drejtori i kompanisë së regjistruar në Qipro, Constador LTD. Pikërisht kjo kompani është pronare me 71% e JET BANK, të parës bankë online në Shqipëri.
Në këtë pikë, çështja nuk është më thjeshtë ligjore, por sistemike. Banka e Shqipërisë ka licensuar këta individë për të hapur bankën e parë online në vend, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e verifikimit dhe integritetin e procesit.
Por, më shumë se kaq, pyetja që shtrohet sot nuk është nëse ka pasur shkelje ligjore, por përtej kësaj, a po lejojmë që Shqipëria të evoluojë nga një bazë operative e call center-ave që zhvasin qytetarët evropianë, në një nyje të pastrimit të këtyre parave?!
Nëse kjo vijë alarmi kalon pa reagim, ky skandal do të përbënte një rrezik të drejtpërdrejtë për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e vetë sistemit bankar shqiptar. (A2 Televizion)