"Izraeliti i dënuar në Gjermani kërcënim për shqiptarët?", reagon Jet Bank: Ja roli i tij

Nga A2 CNN
20 Prill 2026, 22:17 | Aktualitet

"Izraeliti i dënuar në Gjermani kërcënim për

Debati mbi “Jet Bank”, bankën e parë online në Shqipëri, është përshkallëzuar në një përplasje publike mes opozitës dhe vetë institucionit financiar.

Pas denoncimit të Partisë Demokratike, e cila ngriti dyshime për lidhje të mundshme me rrjete mashtrimi të call center-ave dhe kërkoi monitorim ndërkombëtar, ka ardhur reagimi zyrtar i bankës.

Ndërkohë, ky reagim i Jet Bank vjen pas denoncimeve të Partisë Demokratike, ku nënkryetari i grupit parlamentar, Belind Këlliçi, ka paralajmëruar se Shqipëria rrezikon të evoluojë nga një bazë e thjeshtë e call center-ave që mashtrojnë qytetarët europianë, në një hallkë shumë më të rrezikshme që prek drejtpërdrejt sistemin banker.

Reagimi i plotë

Jemi të vetëdijshëm se ndërtimi i një institucioni të ri bankar inovator në një treg të saturuar dhe të konsoliduar  vjen me sfida të pritshme.

Megjithatë, nuk ishte e pritshme që në këtë proces të përfshiheshin narrativa të ndikuara politikisht, të cilat nuk i shërbejnë zhvillimit të sektorit financiar dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë si një vend që synon modernizimin e sistemit të tij bankar.

Dëshirojmë të sqarojmë publikun shqiptar  mbi deklaratat e fundit publike lidhur me procesin e licencimit të Jet Bank dhe strukturën e saj aksionere.

Jet Bank është një institucion bankar i licencuar dhe i mbikqyrur nga Banka e Shqipërisë dhe vepron në përputhje të plotë me kuadrin ligjor shqiptar dhe standardet rregullatore ndërkombëtare për sektorin bankar. Procesi i licencimit është zhvilluar në mënyrë transparente dhe nën verifikimin e plotë të autoriteteve kompetente.

Pretendimet për “rrezik sistemik” apo lidhje të supozuara me struktura apo skema të përmendura publikisht të palicensuara, nuk kanë asnjë bazë dokumentore apo faktuale.  

Në lidhje me z. Oliver Hemmer, sqarojmë se përfshirja e tij ka qenë e kufizuar vetëm në fazën e procesit teknik të regjistrimit të shoqërisë dhe përpara marrjes së miratimeve rregullatore. Ai nuk ka pasur kurrë rol vendimmarrës, kontroll operacional apo funksione ekzekutive në aktivitetin bankar dhe nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë rol në qeverisjen e ardhshme të bankës. Në këtë kuadër cdo pretendim mbi aktivitete të paligjshme të z.Hemmer, përvec se i pavërtetë, nuk lidhet me veprimtarinë e Jet Bank apo aksionerëve të saj.

Struktura e pronësisë së Jet Bank është e dokumentuar, e verifikuar dhe e miratuar sipas kërkesave ligjore dhe rregullatore në fuqi. Çdo insinuatë për mungesë transparence apo integriteti bie ndesh me faktet e konfirmuara gjatë procesit të licencimit. Jet Bank është në fazën përfundimtare të ndërtimit të strukturës së plotë të qeverisjes, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe kuadrin rregullator shqiptar, përfshirë krijimin e Këshillit Drejtues me anëtarë ekzekutivë dhe të pavarur.

Jet Bank po ndërmerr të gjitha veprimet për denoncimin e këtyre deklaratave shpifëse pranë organeve përkatëse ligjore dhe rezervon të gjitha të drejtat për të ndjekur ligjërisht çdo publikim që përmban informacion të pavërtetë, keqinterpretues ose shpifës, në përputhje me legjislacionin në fuqi. 

Institucioni mbetet plotësisht i angazhuar për komunikime transparente me këdo dhe i paintimiduar nga kultura ekzistuese e përbaltjes të cdo nisme të re dhe inovative për tregun shqiptar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos