
Shqipëria feston sot 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në Vlorë, në orën 10:00 do të zhvillohet ceremonia e ngritjes së Flamurit, ku i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama.
Në këtë 28 nëntor, kryeministri Rama ka përcjellë urimin e tij për qytetarët shqiptarë përmes një postimi në rrjetet sociale duke e uruar festën kombëtare me aspiratën europiane të vendit.
“Mirëmëngjes dhe me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar”, shkruan Rama.
Edhe ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka uruar shqiptarët përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale.
“28 nëntori – dita që bashkon historinë, krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar! Nga Vlora historike e vitit 1912, ku Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri dhe firmëtarët e Pavarësisë ngritën flamurin kuqezi, nisi një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare. Një ditë që mbart në vetvete sakrificën e brezave, guximin e atyre që luftuan për liri dhe krenarinë e të qenit shqiptarë. Një histori e shkruar me gjak, përkushtim dhe dashuri për atdheun, që vazhdon të na frymëzojë edhe sot. Flamuri kuqezi mbetet simboli që na bashkon, na përfaqëson dhe na kujton rrënjët e vlerat tona kombëtare”, shkruan Nufi.
Por, përtej festimeve, kjo ditë do të shoqërohet edhe me protesta. Në kryeqytet, grupe dhe organizime të ndryshme kanë njoftuar manifestime në orare të ndryshme, ndërsa Partia Demokratike ka shprehur mbështetjen për protestat.
Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës ende nuk ka bërë publike një agjendë të aktiviteteve festive për këtë ditë. (A2 Televizion)