Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar shqiptarët me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, duke rikonfirmuar partneritetin strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Në mesazhin e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, Rubio thekson se marrëdhëniet mes dy vendeve mbështeten në angazhimin e përbashkët për sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet e forta ndërmjet dy popujve.
Shefi i diplomacisë amerikane i kushton vëmendje të veçantë bashkëpunimit në luftën kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Rubio vlerëson gjithashtu përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e sigurisë kibernetike, ndërsa shpreh angazhimin e Uashingtonit për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes, politikës së jashtme dhe ekonomisë.
Mesazhi i sekretarit amerikan të Shtetit nuk i adresohet asnjë titullari të institucioneve shtetërore shqiptare, por i drejtohet popullit shqiptar në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (A2 Televizion)