Dy helikopterë të Forcave të Armatosura janë duke kryer operacione intensive nga ajri, në mbështetje të forcave tokësore në shuarjen e flakëve në Finiq. Minsitria e Mbrojtjes njofton se po vijojnë ndërhyrjet në disa zona të vendit për shuarjen e vatrave të zjarrit
Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 13 vatra zjarri, nga të cilat 9 vatra janë shuar, 2 vatra janë aktive dhe 2 vatra janë në monitorim.
Aktualisht aktive mbeten vatrat në:
Pezë Helmës, njësia Pezë, Tiranë: Vatra e zjarrit po mbahet në mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare. Sot janë shfaqur disa vatra të vogla brenda perimetrit të djegur.
Ibë, njësia Bërzhitë, Tiranë: Është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe mare, pranë zonës ku një vatër u shua një ditë më parë. Terreni është i paarritshëm për mjetet zjarrfikëse. Në ndërhyrje kanë marrë pjesë 12 forca zjarrfikëse me pajisje individuale dhe 4 forca të APR.
Parku Natyror Gërmenj, njësia Leskovik: Vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e 3 mjeteve dhe 14 efektivëve zjarrfikës të MZSH Kolonjë, si dhe 6 forcave policore.
Fshati Dërmish, njësia Finiq, Vlorë: Vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre. Në terren po veprojnë 5 automjete zjarrfikëse me 20 efektivë të MZSH Finiq, 20 forca vullnetare dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë operacione nga ajri për shuarjen e flakëve. Momentalisht nuk ka rrezik për banesa. (A2 Televizion)