13 vite nga 21 janari, Rama: Të hetohet nga SPAK, Prokuroria e Tiranës pa shtyllë kurrizore

Nga Anesti Barjamemaj
21 Janar 2024, 13:07 | Aktualitet

Në 13-vjetorin e ngjarjes së 21 Janarit të vitit 2011, shpresa për drejtësi nuk është zbehur por është bërë më e fortë. Kryeministri Edi Rama edhe këtë vit priti në një takim familjarët e viktimave të 21 Janarit. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që gjeti fajtor shtetin shqiptar për shkelje të së drejtës së jetës me vrasjen e protestuesit Aleks Nika, numri një i qeverisë tha se tashmë sistemi i drejtësisë shqiptare është i detyruar për të bërë drejtësi.

“Vendimi kuptimploti Gjykatës Europiane i të Drejtave të Njeriut, i cili e cilëson 21 Janarin ezeza mbi të bardhë e cilëson 21 Janarin si krim shtetëror i pahetuar”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se hapi i parë për të bërë drejtësi duhet të bëhet nga Gjykata e Lartë që dosjen ta kalojë në SPAK, duke shtuar se nuk ka më besim tek Prokuroria e Tiranës për hetim të kësaj ngjarje.

“Nuk na mbetet vetëm se të shpresojmë që Gjykata e Lartë do vendosë me drejtësi në 27 Shkurt  dhe do të lëvizë barrën e rëndë të21 Janarin nga kurrizi pa shtyllë i Prokurorisë së Rrethit Tiranë  në duart e SPAK.”

I ashpër me drejtësinë u tregua edhe ministri Ulsi Manja, duke thënë ende në gjyqësor ka magjistratë të paaftë.

“Fakti që sot pas 13 vitesh drejtësia për 21 Janarin është ende në ajër tregon qartë se brenda sistemit të ri të drejtësisë ka magjistratë me certifikatë vetingu të paaftë profesionalisht që punojnë akoma me mentalitetin e vjetër të mbylljes së dosjeve me procedurë apo me kalim të afateve të hetimit.”

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej viktimave të 21Janarit për të 13 vit me radhë kërkoi drejtësi për nipin e tij. Nika tha se shpresat këtë vit janë shtuar, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Vendimi i Strasburgut nuk është rekomandues, por i detyrueshëm për t’u zbatuar. Topi është në fushën e drejtësisë së re shqiptare”, tha ai.

 Pas ceremonisë në Kryeministri, u zhvilluan dhe homazhe në bulevard duke vendosur lule në vendet ku humbën jetën 4 protestuesit në 21Janar të vitit 2011.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos