Gjermania beson se Shqipëria mund të përmbyllë me sukses të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit me Bashkimi Evropian brenda vitit 2027. Kjo në një kohë që vendi numëron 4 grupkapituj të hapur nga6 në total, ndërsa brenda këtij muaj pritet të hapet edhe grupi i 5-të.
Deri më tani, Tirana zyrtare ka çelur negociatat për grupkapitujt e “Themeloreve”, “Marrëdhënieve me jashtë” si dhe “Tregut të Brendshëm”, ndërsa mbeten ende të pahapura “Agjenda e Gjelbër” dhe grup-kapitulli i “Burimeve, bujqësisë dhe kohezionit”.
“Duhet ta përgëzoj Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare për hapjen e katër prej këtyre gjashtë grup-kapitujve në 8-9muajt e fundit, që nga tetori i vitit të kaluar. Ky është një shans shumë, shumë i mirë. Dhe ajo që mund të shohim në një nivel teknik është se ekipi negociator po bën një punë shumë, shumë të mirë sepse tashmë këto katër kapituj në nëntë muaj janë një rekord. Jam shumë, shumë i bindur se me këtë kapacitet të ekipit të tryezës, pjesa tjetër e grup-kapitujve do të hapet deri në fund të vitit”, tha për A2 CNN, Karl Bergner, ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri.
Pavarësisht progresit që po bëhet në rrugën drejt integrimit, ambasadori Bergner thotë se vendi duhet të përqendrohet në çështjet që lidhen me Shtetin e së drejtës dhe luftën ndaj korrupsionit.
“Fokusoni shumë në çështjet që janë ngritur, për shembull, në raportin e fundit progresor të BE-së të vitit të kaluar, që janë fusha, të ashtuquajturat baza, që është sundimi i ligjit me qeverisje dhe lufta kundër korrupsionit. Këto janë çështje që gjithashtu konsiderohen shqetësuese për shumë shqiptarë me të cilët flas.”
Objektivi i autoriteteve shqiptare është të hapë të gjithë grupkapitujt brenda vitit, dhe që negociatat të mbyllen në 2027-ën, duke i lënë rrugën më pas shteteve të BE-së për të pranuar Shqipërinë brenda familjes europiane deri në 2030-ën. Në rrugëtimin e Shqipërisë drejt “unionit”, ambasadori thotë se do Gjermania do të jetë në krah të vendit tonë për ta mbështetur.
“Ne do të shqyrtojmë çështje si partneritetet administrative në çdo kuptim të mundshëm për të forcuar kapacitetet administrative. Dhe jam shumë i lumtur që e ndajmë këtë fokus me qeverinë, ata janë zotuar ta bëjnë këtë, për të trajtuar këto çështje që shqetësojnë edhe shumë njerëz shqiptarë me të cilët flas. Jam shumë i bindur se Shqipëria mund të arrijë mjaft nga objektivat që i ka vënë vetes. Dhe ne do ta shoqërojmë Shqipërinë në këtë rrugëtim.”
Komentet ambasadori gjerman i bëri gjatë një inspektimi të projekteve të mbështetura nga Kfw gjermane dhe GIZ në disa qytete në Shqipëri. (A2 Televizion)