Zgjidhni zanatet, regjistrimet në arsimin profesional nisin në Korrik, mbi 2500 bursa për të rinjtë

Nga A2 CNN
13 Qershor 2025, 16:17 | Aktualitet

Zgjidhni zanatet, regjistrimet në arsimin profesional nisin në Korrik,

Në korrik hapet zyrtarisht regjistrimi në arsimin profesional, një mundësi konkrete për të rinjtë që kërkojnë të ndërtojnë një karrierë të sigurt dhe të shpejtë në tregun e punës.

Ministrit i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaron se mbi 2500 bursa studimi, me vlerë deri në 7320 lekë në muaj, do të jepen këtë vit për nxënësit që ndjekin shkollat profesionale në të gjithë vendin.

Ministri Gonxhja theksoi se arsimi profesional është kthyer në një shtyllë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe për përgatitjen e fuqisë punëtore që i përshtatet kërkesave reale të tregut.

Përmes sistemit të bursave, qeveria synon jo vetëm të nxisë më shumë të rinj drejt arsimit profesional, por edhe të mbështesë konkretisht ata që kanë më shumë nevojë apo që shfaqin rezultate të shkëlqyera.

“Mbështesim vajzat që zgjedhin të ndjekin arsimin profesional, mbështesim nxënësit që zgjedhin degë prioritare për ekonominë, ato që kërkohen sot dhe në të ardhmen në tregun e punës. Ndihmojmë nxënësit që vijnë nga familje në nevojë, ata që jetojnë më shumë se 5 kilometra larg shkollës, si dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara apo që i përkasin grupeve të veçanta. E për më tepër, nderojmë dhe inkurajojmë ekselentët, ata që kanë përfunduar me mesatare mbi 9”, u shpreh ministri.

Arsimi profesional po fiton gjithnjë e më shumë terren si një alternativë realiste dhe e dobishme për të rinjtë shqiptarë. Ai lidhet ngushtë me nevojat e tregut të punës, duke ofruar aftësi konkrete dhe të menjëhershme për punësim në fusha si teknologjia, bujqësia, industria përpunuese, turizmi, ndërtimi, dhe shërbimet teknike.

Përmes këtij programi bursash, qeveria synon të ngrejë rolin e arsimit profesional, ta bëjë atë më të aksesueshëm, më të drejtë dhe të orientuar drejt ekonomisë së dijes dhe inovacionit.

Arsimi profesional përfshin një gamë të larmishme fushash studimi, ku secila ofron mundësi unike për studentët për të zhvilluar aftësi të specializuara dhe për të ndjekur karriera frytdhënëse.

Për t’ju përgjigjur më së miri kërkesave të epokës së re në të cilën ka hyrë arsimi profesional në Shqipëri, por edhe një kërkese të vazhdueshme të biznesit, qeveria ka ndërmarrë nismën për zbatimin e sistemit dual, duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Një sistem gjurmimi i ushtruar nga Agjencia Kombëtare e Punësimit në nxënësit që studiojnë në shkollat e mesme profesionale gjeti se gati 60% totalit të të diplomuarve ishin në marrëdhënie pune 1 vit pas diplomimit.

Vetë studentët shprehen se arsimi profesional është zanat, i cili krijon të ardhura ende pa përfunduar studimet. Duke mbaruar arsimin profesional, çdo i ri mund të gjejë lehtësisht punë edhe pa pasur një universitet.

Sistemi i arsimit dhe formimit professional public përbëhet nga 41 institucione nga të cilat 31 shkolla profesionale dhe 10 qendra formimi të cilat ofrojnë kualifikime profesionale dhe 10 qendra formimi të cilat ofrojnë kualifikime profesionale të mesme dhe pas të mesme dhe afatshkurtra, për të gjitha moshat.

Institucionet e arsimit të mesëm profesional publik ofrojnë 22 drejtime studimi dhe 83 mundësi profilizimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos