Të nesërmen e kritikave të Edi Ramës ndaj qeverisjes së gjyqësorit, krerët e institucioneve të drejtësisë u mblodhën me dyer të mbyllura në një tryezë të përbashkët. Ftesa e Kryeministrit për t’u zgjuar, pasi Gjykata e Tiranës mori 7 vjet kohë për të rrëzuar padinë e tij civile për shpifje ndaj Lulzim Bashës, u kalua në heshtje nga inspektori i lartë i drejtësisë.
E vetmja që iu përgjigj kreut të qeverisë ishte Holta Zaçaj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, institucion që kishte reaguar edhe publikisht ndaj qëndrimeve publike të Ramës sa i përket kërkesës së gjyqtarëve për një tjetër rritje pagash, shkruan A2 CNN.
“Nuk besoj që deklaratat futet në nivelin e presionit”, tha Holta Zaçaj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Takimi që i mblodhi ishte "Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024-2030: Arritjet dhe sfidat e zbatimit të saj në kontekstin e Integrimit Evropian", ku diskutuan për atë që pret sistemin gjyqësor në vitet në vijim teksa vendi po përgatitet për t’u integruar në Bashkimin Evropian. (A2 Televizion)