150 bagëti të imta janë asgjësuar në një fermë blegtorale në fshatin Shuec të Devollit. Lajmi bëhet me dije nga Demirali Latollari, përgjegjës i Shërbimit Veterinar në Korçë.
Ai tha për mediat se prej disa ditësh e kanë ndjekur në terren gjendjen shëndetësore të të imtave të kësaj ferme dhe pas ngordhjes së bagëtive të para janë marrë të gjitha masat për izolimin e krerëve të kësaj ferme.
Latollari shpjegoi më tej se pas përgjigjeve të analizave është vendosur edhe ekzekutimi i 150 krerëve bagëti të imta.
Për përgjegjësin e shërbimit veterinar të qarkut të Korçës ekziston risku edhe për fermat e tjera që ndodhen shumë pranë fermës së infektuar.
Sakaq, Florian Bode pronar i kësaj ferme me bagëti tha së dëmi i shkaktuar është shumë i madh duke shkatërruar të gjithë investimin që ka kryer për disa vite. Ai shpreson se qeveria do t’i ndodhet pranë.
Burime zyrtare thanë se kjo është vatra e parë dhe e vetme deri tani e murtajës së bagëtive të imta, jo vetëm në Bashkinë e Devollit, por në të gjithë Qarkun e Korçës. (A2 Televizion)