28 Nëntori në Vlorë! Qytetarët të pakënaqur me perimetrin e sigurisë: Erdhëm nga Kosova e qytete të tjera

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2026, 09:55 | Aktualitet

28 Nëntori në Vlorë! Qytetarët të pakënaqur me

Masat e shtuara të sigurisë në Vlorë kanë kufizuar lëvizjen e qytetarëve që kanë mbërritur në qytet për të festuar 114-vjetorin e Pavarësisë. Për shkak të perimetrit të sigurisë, shumë prej tyre janë mbajtur larg Sheshit të Flamurit, ndërsa policia nuk ka lejuar afrimin drejt zonës ku zhvillohet ceremonia.

Mes qytetarëve që kanë arritur të hyjnë në perimetrin e sigurisë është edhe një shqiptar nga Prizreni, i cili tregon se udhëton çdo vit drejt Vlorës për të qenë pjesë e festimeve.

“Jam nga Prizreni, vij vit për vit në ceremoninë e Vlorës. Jam atdhetar, jam krenar dhe i gëzuar. Uroj të gjithë shqiptarët të vijnë e të marrin pjesë”, shprehet ai.

Por jo të gjithë kanë mundur të afrohen. Disa qytetarë shprehen të zhgënjyer, pasi kanë udhëtuar nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe nga Kosova për të ndjekur ceremoninë.

“Jam 84 vjeç, vij nga Kosova. Për fat të keq nuk na lejuan të kalojmë atje”, thotë një prej tyre.

Ndërkohë në sheshin ku duhet të ishin qytetarët janë vetëm grupet e këngëve dhe valleve të asambleve nga trevat.

Në Vlorë ka mbërritur edhe Komiteti i Veteranëve nga Rrogozhina, së bashku me familjarë të dëshmorëve, për të marrë pjesë në këtë ditë të shënuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos