
Në 114-vjetorin e Pavarësisë, në Tiranë është paralajmëruar një protestë kombëtare kundër qeverisë, ndërsa grupime të ndryshme kanë njoftuar orare të ndryshme për nisjen e tubimit.
Organizatorët e të ashtuquajturit “Revolucioni Flamingo” kanë lajmëruar protestën në orën 10:00 në sheshin “Skënderbej”, me marshim drejt Kryeministrisë. Ata kanë paralajmëruar vijimin e protestës edhe më 29 nëntor.

Ndërkohë, grupe që përfaqësojnë studentët kanë njoftuar nisjen e tubimit në orën 12:00, dhe vetëm ditën e sotme.
Opozita ka deklaruar mbështetjen për protestën, ndërsa kryeministri Edi Rama do të jetë në Vlorë, ku në orën 10:00 zhvillohet ceremonia e ngritjes së Flamurit.

Në këtë ditë protestash dhe festimesh, vëmendjen e kanë tërhequr edhe masat e sigurisë, për të cilën janë angazhuar rreth 2 mijë efektivë. Por ajo që bie në sy janë autobotët e ujit të Policisë të mbuluar me flamurin kuqezi. (A2 Televizion)