Heqja e nismës “3 lëndë në 6 orë” nga shumë shkolla, ka rikthyer shqetësimin e prindërve për ngarkesën e madhe të çantave të fëmijëve. I tremben problemeve shëndetësore apo ndonjë deformimi të mundshëm të shtyllës kurrizore, ndaj sa herë që kanë mundësi, çantën e shkollës e mbajnë prindërit ose gjyshërit. Specialistët e arsimit shprehen kritikë ndaj eksperimenteve të vazhdueshme në arsim siç i quajnë ata, transmeton A2.
Sipas Ndriçim Mehmetit, nisma për lehtësimin e çantave të shkollës, edhe kur u aplikua në mes të vitit shkollor në 2018 nuk u shoqërua me një studim , e kështu ndodhi edhe tani që u hoq pa u konsultuar me grupet e interesit.
Për Ndriçim Mehmetin edhe fushata për depistimin e skoliozës në shkolla nuk do të ndryshojë asgjë. Sipas tij nevojiten reforma parandaluese dhe jo nisma afatshkurtra ku raportohen vetëm statistika në lidhje me sëmundshmërinë e fëmijëve, raporton A2.
Këtë vit shkollor, shumë institucione të arsimit parauniversitar nuk e aplikojnë më nismën “3 lëndë në 6 orë”.
Edhe në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, zbatimi i saj është fakultativ në varësi të kushteve të çdo shkolle. E ndërsa këtë vit çantat e shkollës janë më të rënda për fëmijët, ministria e shëndetësisë pritet të verifikojë efektet e peshës në shfaqjen e skoliozës tek nxënësit e shkollave. (A2 Televizion)