Digjitalizimi është një hap i madh i njerëzimit që ka anën e ndritur dhe të errët. Sociologu Gëzim Tushi ndau në “Dita Jonë” në A2 CNN, shqetësimin për botën virtuale që sipas tij po i ndan njerëzit. Ndërsa eksperti i Inteligjencës artificiale foli për ndikimin e saj në jetën e njeriut, në vendet e punës, zgjedhjet elektorale dhe në luftëra.
Tushi theksoi në A2 se teknologjia do të shkaktojë vetmi dhe do të zbehen lidhjet e gjakut.
“Digjitalizimi dhe progresi teknologjik ka anën e ndritur dhe të errët, por besoj që ana e ndritur është më e madhe. Një nga mëkatet është që digjitalizimi dhe teknologjia po shmang komunikimin ballë përballë. Rrjetet sociale kanë mundësuar një komunikim të drejtpërdrejtë midis njerëzve në të gjithë planetin dhe ndërkohë po krijon një distancë që shfaqet pastaj në format e vetmisë dhe patologjive të tjera. Sociologët kanë shqetësimin që është një drogë e shekullit 21. Teknologjia do të zbehë edhe ligjet e gjakut”, tha ai në A2.
Sipas Tushit, inteligjenca artificiale do të sjellë ndryshime të tjera dhe sjell tronditje në marrëdhëniet njerëzore, por nuk mund të frenohet.
“Inteligjenca Artificiale agjent që do të sjellë ndryshime të tjera dhe do të sjellë tronditje të veçanta. Do të ketë ndryshime ontologjike thelbësore në mënyrën sesi do t’i ndërtojnë marrëdhëniet njerëzit. Çdo përpjekje për të frenuar zhvillimin është reaksionare. Unë kam besim se këto tronditjet ekzistenciale në raportin njeri-teknologji do të kapërcehen”, tha Tushi në A2, i cili shtoi se Inteligjenca artificiale po kufizon jetën intime të njeriut.
Eksperti i Inteligjencës Artificiale Erikleo Cepa tha se digjitalizimi do të shkatërrojë shumë vende pune, dhe do të krijojë punë të reja që janë vartës të teknologjisë. Në A2 eksperti theksoi se IA do të ndikojnë edhe në zgjedhjet e vitit 2025 në Shqipëri.
“Digjitalizimi do të shkatërrojë shumë vende pune, do krijojë punë të reja që do të jenë vartës. Kina ka arritur të krijojë modele të klonimit që ta bëjë në gjendje të flasë një person. Në çdo zgjedhje përfshirë dhe në Shqipëri inteligjenca artificiale mund të ndërhyjë. Ka softwere private që marrin shuma të mëdha parash siç kanë marrë për Trump, besoj që do të ndodhin probleme të tilla”.
Sa i përket ndikimit në luftë, eksperti u shpreh: “Lufta teknologjike në Liban te pager-at, nuk besoj që aktivizimi të jetë bërë me të njëjtën frekuencë kjo ndodh ose me frekuenca satelitore, ose hipoteza tjetër mund të jenë dronet ku futet inteligjenca artificiale”, theksoi në A2 eksperti i IA.
Të arrish në parashikimin e vdekjes së një personi, për ekspertin Cepa do të thotë që teknologjia ka qenë shumë e hershme, teksa përmend Egjiptin e lashtë.
“Po vijmë drejt botës së filmave fantashkencorë, ku janë parashikuar gjëra reale sikurse ndodhi për mbretëreshën Elisabetë, për zgjedhjen e Trump. Është diçka që teknologjia ka qenë, e ka parashikuar. Të bësh parashikimin e një personi në x datë do të thotë që teknologjia ka qenë shumë e hershme, sikurse në Egjiptin e lashtë”.
Cepa solli në vëmendje projektin “The Line” që po zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili sipas tij do të bëhet realitet në 10-15 vitet e ardhshme.
“Realitet i hidhur, por edhe shumë i bukur. Për 10-15 vjet THE LINE mund të krijohet. Janë dy-tre qytete brenda një vendi që janë dy mure dhe fëmijët do të lindin aty dhe teknologjia do të jetë shumë e lartë dhe më shpejtë. Në atë projekt makinat do të jenë fantashkencë. Makinat do të fluturojnë nëpërmjet fushave magnetike. Është një investim shumë i madh. Njerëzit do të evolojnë”.
(A2 Televizion)