Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten ende aktive. Agjencia e Mbrojtjes Civile bën të ditur se vatrat aktive janë në malin mbi fshatin Dhivër të bashkisë Finiq ku vazhdon zjarri në një sipërfaqe pyjore në lartësi, ndërsa në terren po operojnë 10 mjete të shërbimit zjarrfikës të Finiqit, Sarandës, Delvinës, Konispolit, Gjirokastrës, Himarës dhe rreth 120 forca operacionale të mbështetur nga ajri si dhe nga efektivë të Forcave të Armatosura.
Një tjetër vatër zjarri aktive është në fshatin Lofkënd të bashkisë Mallakastër.
“Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha, ndërsa në terren janë dislokuar 11 automjete zjarrfikëse, ndër te cilat 2 të FA si dhe 130 forca nga të gjitha strukturat operacionale, me mbështetje edhe nga ajri, të cilët po punojnë edhe sot për izolimin e plotë të tij”.
Ndërsa vatra e tretë e zjarrit është në fshatin Vjollcë, bashkia Mirditë, në një sipërfaqe pyjore me pyll pishe dhe shkurre.
Mbrojtja civile është punuar deri në orët e vona nga shërbimi vendor i MZSH, shërbimi pyjor dhe vullnetarë të zonës, pa mundur ta izolojnë vatrën. Rrezik për banesa nuk ka.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar: 48 automjete zjarrfikëse dhe 445 forca operacionale, 9 automjete të rënda, të ndihmuar nga FA me 73 forca ushtarake, 8 automjete zjarrfikëse me ekuipazh dhe mbështetje nga ajri, si dhe dy avionë suedezë të aktivizuar në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri dhe u bën thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo vatër të mundshme. (A2 Televizion)