Zjarri i rënë në pallatin 12-katësh pranë Farmacisë 10 në kryeqytet, nxori në pah edhe një tjetër problematikë shqetësuese, atë të sigurimit të banesave. Në një intervistë për Dita Jonë në A2 CNN, eksperti i tregut imobiliar, Orgest Beti theksoi se mungesa e kulturës së sigurimit dhe mosbesimi ndaj dëmshpërblimeve kanë bërë që vetëm rreth 6% e banesave të jenë të siguruara aktualisht. Por tashmë ka një draft propozim nga qeveria që do ta bëjë këtë proces të detyrueshëm, ndërsa parashikohen lehtësira për kategori në nevojë si pensionistët apo shtresat vulnerabël.
“Ka një draft propozim nga qeveria që do ta bëjë këtë proces të detyrueshëm që në bindjen time besoj se është i mirëpritur dhe është i duhuri. Kuptohet dhe me lehtësira fiskale ose po themi me heqje nga ky detyrim për disa shtresa në nevojë, siç mund të jenë jetimët, siç mund të jenë të moshuarit, mund të jenë pensionistët. Pra disa kategori të cilët besoj duhet të hiqen, por si tarifë ose si detyrim unë besoj që do duhet të jetë”, tha ai në Dita Jonë.
Sipas ekspertit, tarifa e sigurimit pritet të jetë rreth 30 euro në vit, një kosto e përballueshme për shumicën e familjeve.
"Në dijeninë time është do të jetë një ent, i cili do të administrohet nga shteti që do të bëjë gjithë menaxhimin e këtij procesi. Me sa kam informacion tarifat nuk do të kalojnë vlerën 30 euro në vit, gjë e cila nuk besoj se është shumë për një familje normale në Shqipëri, duke pasur parasysh dhe risqet. Kam qenë konsistent gjithmonë në atë që kam thënë për sa i përket edhe pjesës së djegies së apartamenteve. Kemi pasur tërmetet, përmbytjet, por dhe zjarret, janë tashmë një problem shqetësues jo vetëm në rastin konkret ditëve të fundit, por ne kemi parë dhe në muajt e verës që zjarre masive në zona të caktuara ku kemi parë, po themi se si shkrumbohen shtëpi, se si shkrumbohen banesa apo edhe parcela apo zona të tëra, gjë që është vërtetë një fatkeqësi e madhe”.
Eksperti shpjegoi gjithashtu se sigurimi do të bazohet në disa faktorë si zona, sipërfaqja dhe investimi në banesë, ndërsa procesi pritet të administrohet nga një strukturë shtetërore. Ai thekson se rreziqe si tërmetet, përmbytjet dhe zjarret janë të paparashikueshme, ndaj sigurimi është një domosdoshmëri dhe jo luks. (A2 Televizion)