Një grup të huajsh, që jetojnë prej disa kohësh në Vlorë janë bërë bashkë në një aksion vullnetar për pastrimin e bregdetit të Lungomares. Ata të cilët marrin pjesë në këtë aksion tregojnë se kanë vizituar vende të ndryshme në Shqipëri, por Vlora mbetet qyteti që kanë pëlqyer më shumë. Pikërisht për këtë arsye, ata kanë zgjedhur të japin kontributin e tyre, duke i bërë njëkohësisht apel edhe banorëve që ta mbajnë qytetin të pastër.
Kjo nismë, e ndërmarrë në mënyrë tërësisht vullnetare, synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe ruajtjes së hapësirave publike. Të huajt theksojnë se pastrimi nuk duhet të jetë një veprim i rastësishëm, por pjesë e përditshmërisë së çdo qytetari.
“Jam nga Amerika, por prindërit e mi jetojnë në Vlorë. Është një qytet i bukur, Zoti e ka bekuar dhe ne, duke pastruar, duam t’u tregojmë edhe qytetarëve të Vlorës se sa shumë janë të bekuar me një vend kaq të bukur. Sot jemi mbledhur disa persona dhe do të vazhdojmë ta pastrojmë zonën derisa të jetë plotësisht e pastër”, shprehet një djalë.
“Kam dy javë në Vlorë dhe mendoj se është një qytet absolutisht shumë i bukur. Kisha ku ne shkojmë së bashku vendosi të organizojë këtë aksion dhe unë dola vullnetare për të ndihmuar për ta pastruar. Për Shqipërinë kam dëgjuar nga një mik, më pas kërkova në internet, erdha për pushime dhe tani kam vendosur të jetoj këtu. Kam vizituar Sarandën dhe Tiranën, por Vlora është më e bukura”, thotë një vajzë.
“Jam nga Kalifornia, SHBA. Kam ardhur në Vlorë para katër muajsh dhe vendosa të jetoj këtu. Plazhi është shumë i bukur, është për të gjithë dhe duhet të jetë i pastër. Më pëlqen shumë komuniteti këtu, si shqiptarët ashtu edhe amerikanët që jetojnë në qytet”, shprehet një tjetër djalë.
“Kam ardhur më 1 shtator nga Amerika dhe vendosa të jetoj në Vlorë. Është një vend shumë i bukur dhe më vjen shumë keq kur shoh qytetarët që hedhin mbeturina. Është një qytet i bukur, por me mbeturina nuk duket më i tillë. Prandaj çdo qytetar duhet të bashkohet dhe të ndihmojë për ta mbajtur qytetin të pastër”, thotë një grua.
Gjatë këtij aksioni morën pjesë shumë persona të cilët janë të huaj që vizitojnë dhe jetojnë në Vlorë. Sipas informacioneve ky grup përbëhet nga rreth 40 anëtarë aktivë që angazhohen vazhdimisht në pastrimin e zonave të ndryshme. Një shembull që vjen nga të huajt, por që përcjell një mesazh të qartë për të gjithë, ku pastrimi dhe mbrojtja e mjedisit duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët (A2 Televizion)