Pas rreth 4 orësh qëndrimi në Strukturën e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit, Plarent Ndreca nuk dha detaje, por deklaroi për gazetarët se do të shprehet në momentin e duhur. Në dalje të SPAK, Ndreca tha se nuk ishte thirrur nga organi i akuzës, por ishte paraqitur vetë, teksa pranoi se më herët i është komunikuar akuza. Ndreca nuk kishte koment lidhur me akuzën për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike, ku tha se një qëndrim konkret do ta ketë në momentin e duhur.
“Dhashë deklarime në SPAK në vijim të hetimeve të nisura nga ana e Prokurorisë. Ishte kërkesa ime për të dhënë deklarime. Isha në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Jam njohur me akuzën. Do të shprehem në momentin e duhur. Mos u nxitoni!”, deklaroi Ndreca pas daljes nga SPAK.
Deputeti i Partisë Socialiste është paraqitur në SPAK për të dhënë deklarime në lidhje me çështjen në të cilën është marrë i pandehur për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”.
Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
(A2 Televizion)