Televizioni A2 CNN, partneri ekskluziv i CNN në të gjithë rajonin, bën me dije vendimin strategjik për t’i vendosur të gjitha përpjekjet mediatike me qendër në Shqipëri.
Si burimi kryesor i lajmit më të konsoliduar dhe të besueshëm, Televizioni A2 CNN synon të kanalizojë burimet dhe ekspertizën e tij në rritjen e standardeve të gazetarisë në Shqipëri.
Kjo qasje përputhet me angazhimin për lajme me cilësi të lartë dhe për të forcuar më tej rolin tonë në peizazhin mediatik shqiptar.
Duke i përqëndruar energjitë tona në Shqipëri, ne do të jemi në gjendje të zgjerojmë në mënyrë më efektive dhe të qëndrueshme audiencën tonë.
Ndërkohë, për të siguruar vazhdimësinë e informimit në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ne kemi përzgjedhur dhe vendosur për t'i transferuar operacionet tona tek një partner i aftë profesionalisht, Devolli Corporation.
Ekspertiza dhe prania e fortë rajonale e Devolli Corporation e bëjnë atë të kualifikuar në mënyrë unike për të mbështetur dhe avancuar vlerat e gazetarisë së saktë dhe të pavarur, të sjella tashmë prej vitesh nga A2CNN në të gjitha trojet shqiptare.
CNN mbetet një partner kyç në këtë tranzicion, duke vazhduar të punojë, si me A2 ashtu edhe me Devolli Corporation, në funksion të operacioneve për raportimin e lajmeve në rajon. (A2 Televizion)