Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror, IATA i ka vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave aeroportit të Vlorës, VLO. Lajmi është bërë i ditur në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“IATA (Shoqata Ndërkombëtare e Transportuesve Ajror) ka vlerësuar aplikimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe i ka vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave: VLO”.
IATA është standardi më i lartë i të udhëtuarit me avion sipas standardeve globale, të sigurt, me kompanitë ajrore më të fuqishme, me çmime të favorshme, më të lira se në faqet e tyre zyrtare dhe për këtë duhet akreditimi i agjencisë së udhëtimit nga IATA.
Kjo u lejon agjencive të udhëtimit të shesin bileta në emër të kompanive ndërkombëtare ajrore lider në treg.
Aeroporti i Vlorës ka një pistë të dizenjuar për avionë 4E, që janë avionë me trup të gjerë, airbus 330-340, apo Boeing 777 që janë të përshtatshëm për t’u akomoduar në këtë aeroport. Një nga rrugët lidhëse paralele me pistën është me të njëjtën gjatësi, 3.2 km dhe do të garantojë kapacitet më të lartë të lëvizjes së avionëve.
Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, ky aeroport synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend.
(A2 Televizion)