Restaurimi që nuk përfundon, fati i muzeut arkeologjik në Durrës në prag të sezonit

Nga Elitjona Doko
26 Prill 2025, 17:36 | Aktualitet

I nisur që në nëntor të vitit 2022, përfundimi i restaurimit të muzeut është shtyrë disa herë, pasi fillimisht u deklarua se punimet do të zgjasnin vetëm një vit.

Vonesa në përfundimin e restaurimit mund të bëhet shkak që muzeu, i vetmi i këtij lloji në vendin tonë, të rrezikojë të jetë i mbyllur për turistët dhe vizitorët edhe këtë sezon turistik.

Pas përfundimit të restaurimit, që po kryhet në kuadër të programit EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, do të duhen disa muaj të tjerë për të sistemuar në muze mbi 2000 artfakte të periudhave të ndryshme historike, që nisin që nga parahistoria.

Autoritetet kulturore synojnë që pas investimit që kushton rreth 348 milionë lekë, në momentin e rihapjes turistët të mund të vizitojnë të 3 katet e muzeut si dhe oborrin e jashtëm. 

Mbyllja 3-vjeçare e Muzeut Arkeologjik Kombëtar u ka hequr turistëve të huaj, por edhe vendas mundësinë që të njihen nga afër me këtë aset mjaft të rëndësishëm të qytetit bregdetar.

Janë mbi 2000 objekte, një pjesë e madhe prej tyre janë me vlera unikale, që mund të vizitohen vetëm në Muzeun e Durrësit. Brenda këtij muaji pritet të jetë i vizitueshëm Hamami, monument i kategorisë I, i cili megjithëse u inaugurua në tetor të vitit të kaluar, ende nuk ka hapur dyert për turistët.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dëmtoi rëndë një pjesë të konsiderueshme të monumenteve të trashëgimisë kulturore të qytetit 3000-vjeçar si Torra Veneciane, Murin rrethues, Muzeun Arkeologjik, Hamamin, Muzeun Etnografik etj.

I kthyer në një destinacion gati gjithë vjetor turistik, qyteti buzë Adriatikut krenohet me trashëgiminë e pasur kulturore të tij, por 5 vitet e fundit të huajt nuk kanë pasur mundësi t’i vizitojnë të gjithë monumentet, për shkak të restaurimit që i janë nënshtruar disa prej tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos