Bashkimi Europian ndez dritën e gjelbër për Italinë që të sjellë emigrantë të paligjshëm në qendrën e pritjes në Shqipëri. Brukseli konfirmon se do të vazhdojë të ndjekë nga afër zbatimin e marrëveshjes mes Tiranës dhe Romës, pas ndryshimeve të bëra sëfundmi përmes një dekreti qeveritar. Zëdhënësi i Unionit për Çështjet e Brendshme, Markus Lammert, tha se sipas informacioneve të BE-së, qendra do të funksionojë bazuar në ligjin kombëtar italian, çka përputhet me ligjin europian, prandaj vlerësohet se nuk ka asnjë pengezë për zbatimin e paktit.
“Jemi në dijeni të zhvillimeve të fundit për këtë dekret dhe për qendrën në Shqipëri. Jemi në kontakt me autoritetet italiane dhe do të vazhdojmë të monitorojmë zbatimin e protokollit. Sipas informacioneve tona, ligji kombëtar Italian do të aplikohet për këtë qendër, siç ka qenë rasti deri më tani sa i përket kërkesave për azil. Në princip, kjo është në përputhje me ligjet e Bashkimit Europian. Do të vazhdojmë që të monitorojmë zbatimin e protokollit dhe udhëzimet e reja, duke qënruar në kontakt me autoritetet italiane. Sa i përket zgjidhjeve inovative, kemi thënë se BE-ja është e gtashme t’i shqyrtojë ato, por gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe respektimin e të drejtave themelore”, tha Markus Lammert, zëdhënës i BE, shkruan A2 CNN.
Nga ana tjetër, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cilësoi modelin e Shqipërisë një sukses dhe tha se ai po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje. Në një video-mesazh në samitin për Sigurinë Kufitare në Londër, Meloni deklaroi se fillimisht modeli u kritikua, por tani edhe BE-ja po propozon krijimin e qendrave për riatdhesimin e emigrantëve në vende të treta.
Ndërkohë, qendra italiane në Shqipëri po ndryshon funksion dhe po zgjerohet me dekretin e miratuar të premten nga Këshilli i Ministrave në Romë. Megjithatë Italia po pret ende që Gjykata Europiane e Drejtësisë të vendosë për çështjen e ndalimit të emigrantëve dhe indikacionet për vendet e sigurta: një çështje që është në qendër të polemikave dhe tensioneve prej muajsh pas deklaratave të magjistratëve italianë, të cilët kanë kthyer pas çdo emigrant të transferuar për në Gjadër. (A2 Televizion)