
Lajme pozitive për Bayern Munchen dhe tifozët e tij. Vincent Kompany ka lënë spitalin dhe do të vijojë rikuperimin në shtëpi, pas problemeve shëndetësore që shqetësuan klubin gjerman ditët e fundit.
Trajneri belg pësoi një kolaps të premten e kaluar, teksa ndiqte një seancë stërvitore të ekipit të dytë të Bayern-it, shkruan A2 CNN. Ai u transportua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua ekzaminimeve të detajuara mjekësore.
Shkakun e incidentit e bëri të ditur drejtori sportiv i bavarezëve, Max Eberl. Sipas tij, mjekët kanë identifikuar një irritim të meningjeve, apo e thënë ndryshe membranave që mbështjellin trurin dhe palcën kurrizore. Eberl konfirmoi se Kompany është në gjendje më të mirë dhe tashmë mund të vazhdojë trajtimin jashtë spitalit.
Megjithatë, rikthimi i tij në pankinë nuk do të jetë i menjëhershëm. Drejtuesit e Bayernit kanë bërë të qartë se trajnerit do t'i jepet gjithë koha e nevojshme për t'u rikuperuar plotësisht. Bëhet fjalë për një periudhë prej disa javësh dhe jo thjesht disa ditësh, ndërsa një datë konkrete për rikthimin nuk është përcaktuar ende.
Në mungesë të belgut, detyrat në drejtimin e skuadrës i ka marrë përsipër ndihmëstrajneri Aaron Danks. Për Bayern Munchen, prioriteti në këtë moment nuk është futbolli, por shëndeti i trajnerit që ka fituar besimin e drejtuesve dhe të skuadrës. Mesazhi i klubit është i qartë: Kompany do të rikthehet vetëm kur të jetë plotësisht i gatshëm. (A2 Televizion)