"Arrestimi i Metës politik, nga Rama e Dumani", Gjokutaj: Dosja ka 5 vjet në duart e prokurorëve

Nga A2 CNN
21 Tetor 2024, 15:24 | Aktualitet

"Arrestimi i Metës politik, nga Rama e Dumani", Gjokutaj: Dosja

Avokati mbrojtës i Ilir Metës, Genci Gjokutaj zbuloi për mediat detaje nga takimi me ish-Presidentin në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ai tha se “një takim si çdo herë tjetër vetëm në një ambient ndryshe”, ndërsa e cilësoi ndalimin e Metës si “banditesk”. Sipas Gjokutajt, kreu i PL është “rrëmbyer në rrugë”, edhe pse s’ka pasur asnjëherë “asnjë lloj problemi për ta thirrur në SPAK”.

I pyetur nga gazetarët se çfarë qëndrimi ka mbajtur Meta pasi iu vendosën prangat me urdhër të SPAK, Gjokutaj tha se “qëndrimi i tij është krejt i qartë”, raporton A2.

“Është i vendosur të përballet me procesin dhe çdo gjë që është shkruar në këtë vendim. Është krejt i qartë për çfarë bëhet fjalë dhe është gati për të bërë mbrojtjen për akuzat që nuk kanë lidhje me të”, u shpreh avokati i tij.

Në vijim, avokati i Metës e ka konsideruar arrestimin e klientit të tij si një goditje politike dhe për këtë akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani dhe kryeministrin Edi Rama, shkruan A2.

“Unë isha në takim me zotin Meta. Ai ka mbërritur këtu pas një rrëmbimi banditesk që i është bërë në rrugë, me një sjellje tejet jo ligjore. Kjo histori ndodh me një person që ka qenë disa herë në SPAK dhe ka dhënë shpjegime me çfarë e kanë pyetur dhe kjo çështje ka 5 vjet. Domethënë këto rrethana që këta mendojnë sot për të goditur me arrest kanë 5 vjet që janë nëpër duart e prokurorëve. Momenti është politik, këtu është dyshja Rama-Dumani, dhe me ndihmë e mashave, ish-bashkëpunëtorëve të Ilir Metës që kanë formuar një vendim të cilin sapo e kemi marrë”, deklaroi Gjokutaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos