Avokati i Beqajt: Tentativë për denigrim të figurës! SPAK e ka personale

Nga A2 CNN
6 Korrik 2024, 19:22 | Aktualitet

Avokati mbrojtës i Ilir Beqajt, Ermal Yzeiraj tha se këto akuza të reja ndaj klientit të tij, po bëhen me qëllim për të dëmtuar imazhin e tij. Në daljen për mediat, pas seancës gjyqësore, Yzeiraj renditi arsye pse sipas tij tregojnë se SPAK e ka personale me Beqajn.

“Zoti Beqaj dhe personat e tjerë sqaruan dhe faktin në bashkëpunim sesi SASPAC-u me Ministrinë e Kulturës kishin organizuar një event dhe arsyeja pse një event i përbashkët mbante dy fatura që në dukje janë si zëra të publikuar, por faktikisht është për shkak të eventit që nga dita e parë e në vazhdim u nda salla në disa mikrofonë, panele e disa përkthime. Zoti Beqaj sqaroi edhe gjykatën që kjo është një tentativë për ta denigruar si figurë, për ta nxjerrë si person që mund të akuzohet edhe për vjedhje nga më minimalet, nga më të voglat, për ta penguar zotin Beqaj që të vazhdojë të punojë për çështjen e sterilizimit në gjykatë dhe për të penguar edhe deklarimin e tij në Kuvend. Në mendimin tonë është pikërisht organi i akuzës i cili çështjen e zotit Beqaj ka personale sepse me këtë ka filluar edhe aktiviteti i SPAK-ut, me kallëzimet ndaj zotit Beqaj. Dështimi i çështjeve kryesore si “Sterilizimi” dhe “Check up”-i për akuzën është shumë domethënëse. Është e paqartë sasia e parave që pretendohet se Beqaj ka përfituar dhe nuk ka nga SPAK-u një përgjigje në lidhje me këtë. Pa u përgjigjur sa është sasia, nuk mund të ngresh akuzë për zotin Beqaj”, tha ai.

Gjykata e Posaçme Anti-Korrupsion la sot në burg ish-ministrin Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorin e tij Ermal Kurtulaj. Beqaj akuzohet për korrupsion me fondet e BE gjatë kohës që ai drejtonte SASPAC, si edhe për mos deklarim pasurie. Ilir Beqaj u arrestua mëngjesin e së enjtes lidhur me shpërdorimin e fondeve të Bashkimit Europian përmes agjencisë SASPAC, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos