
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar pas ndalimit në kufi të gazetarit Artan Hoxha nga autoritetet greke, duke kërkuar zyrtarisht nga Greqia publikimin e listës së shqiptarëve të cilëve u është ndaluar hyrja në territorin grek, si dhe arsyet ligjore që qëndrojnë pas këtyre vendimeve.
Bido ka njoftuar se i është drejtuar me një letër zyrtare Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë dhe Ambasadës Greke në Tiranë, ku kërkon transparencë për një çështje që, sipas tij, ka krijuar prej vitesh pasiguri për shumë qytetarë shqiptarë.
Sipas deputetit socialist, shpallja “non grata” e gazetarit Hoxha dhe raste të tjera të ngjashme ngrenë pikëpyetje të forta mbi procedurat e ndjekura nga autoritetet greke. Ai thekson se është koha që Athina të sqarojë publikisht kriteret, procedurat dhe arsyet që çojnë në vendime të tilla.
“Sot, i jam drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë dhe Ambasadës së Greqisë në Tiranë, për të kërkuar publikimin e listës së personave shqiptarë që janë të ndaluar të hyjnë në territorin grek dhe arsyet ligjore që kanë çuar në këtë vendim. Qytetarët shqiptarë meritojnë transparencë, qartësi dhe trajtim të drejtë në çdo procedurë që lidhet me lëvizjen e tyre të lirë. Kjo çështje ka krijuar prej vitesh pasiguri dhe është koha që të sqarohet zyrtarisht”, shkruan Bido.
Më tej ai shton se ka kërkuar listën zyrtare të personave ndaj të cilëve është vendosur masa e ndalimit të hyrjes, së bashku me arsyet ligjore; ose, nëse emrat nuk mund të publikohen deputeti kërkon numrin e përgjithshëm të rasteve, kategoritë e arsyeve ligjore dhe procedurën e ndjekur.
Gazetari investigativ Artan Hoxha u ndalua së fundmi në kufi dhe u shpall i padëshiruar nga autoritetet greke, çka ka ngritur debat të gjerë publik dhe reagime të shumta nga komuniteti i medias dhe politika shqiptare.
Sipas Bidos, ky vendim dhe raste të tjera të ngjashme kërkojnë transparencë të menjëhershme për të shmangur abuzimet, konfuzionin dhe për të garantuar trajtim të barabartë të shtetasve shqiptarë që udhëtojnë drejt Greqisë.
(A2 Televizion)
