Pas 11 muajsh izolimi brenda katër mureve të shtëpisë, ish-kryeministri, Sali Berisha fitoi lirinë. Gjykata e Posaçme vendosi të lirojë liderin demokrat, duke shfuqizuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, masë e dhënë ndaj tij më 30 dhjetor 2023.
Vendimi që i dha të drejtë pretendimeve të Berishës për revokim të masës, u shpall nga gjyqtarja Flojera Davidhi në një seancë të zhvilluar mëngjesin e së mërkurës. Seanca nuk ishte njoftuar me herët nga gjykata, madje edhe në shënimin me dorë të bërë në listën ditore të seancave gjyqësore, nuk ishte emri i kërkuesit Sali Berisha, por i Prokurorisë së Posaçme.
Ish-kryeministri u përfaqësua në gjyq nga avokati Genci Gjokutaj. Ndërsa prokurorët e SPAK i kërkuan gjykatës të vazhdonte masën e sigurimit “arrest në shtëpi”.
E pyetur nga A2, SPAK tha se pasi të njihet me vendimin e zbardhur do ta ankimojë në Apelin e Posaçëm. Vendimi i Shkallës së Parë liroi ish-kryeministrin nga barra e një mase izoluese prej 11 muajsh, kohë gjatë së cilës ai e shijoi lirinë vetëm dy herë. Në të dy rastet, qëllimi i liridaljes disa orëshe për të ishte vetëm për të vajtur në SPAK, herën e parë si deklarues dhe herën e dytë për t’u njohur me akuzën e ngritur ndaj tij, atë të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” në dosjen “Partizani”.
Masa e parë e caktuar ndaj Berishës ishte ajo e “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”, në tetor të vitit të shkuar, masa që nuk u zbatuan prej tij e më pas me kërkesë të SPAK u ashpërsuan në “arrest në shtëpi”.
Në vijimësi ai ka kërkuar shfuqizim të masës në Shkallën e Parë e Apelin e Posaçëm dhe në Gjykatën e Lartë, por deri të mërkurën mori vetëm përgjigje refuzuese nga gjykatat. Vendimi për lirimin erdhi pak ditë pasi Kushtetuesja shfuqizoi masën e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe kur Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg pranoi të kalonte për shqyrtim me përparësi ankimin e bërë nga Berisha kundër masës “arrest në shtëpi”.
Ndërkohë dosja “Partizani” ndodhet në fazën e shqyrtimin paraprak dhe seanca e radhës pritet të zhvillohet më 16 dhjetor. (A2 Televizion)